Historia

Në vitet e tridhjeta të shekullit të kaluar, në daljen e kanionit të Matkës është ndërtuar një liqen artificial i lumit Treska, me digë betoni për prodhimin e energjisë elektrike. Punët ndërtimore të digës kanë filluar në vitin 1935, kurse hidrocentrali me punë ka filluar në vitin 1938 me kapacitet të instaluar prej 4,2 MW.

Ndërtimi ka qenë punë grandioze kolektive, projekt kapital i asaj kohe, por meritë më të madhe për ndërtimin e saj ka prof. D-r Miladin Peqinar autori ideor i projektit, projektuesi dhe njeriu që ka bërë mbikëqyrjen e ndërtimit. Kur diga ka qenë e përfunduar Peqinar ka hipur në majën  e sajë dhe ka brohoritur: “Nëse diga rrëshqet, le të rrëshqas edhe ai që e ka sajuar”.

Gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore pikërisht HEC Matka ka qenë njëri nga objektet më strategjik për të cilin janë bërë beteja. Ajo ka qenë shënjestër e bombardimeve gjatë operacioneve luftarake, gjatë tërheqjes së forcave fashiste. Madje ka pasur edhe përpjekje për minimin e saj, mirëpo një grup heronjsh partizanësh Matkën kanë mbrojtur denjësisht.  Diga dhe hidrocentrali “Matka” disa herë ka shpëtuar edhe Shkupin nga përmbytjet  edhe atë gjatë përmbytjeve të mëdha në vitin 1962 dhe në vitin 1979 kur diga ka mbajtur sasi të jashtëzakonshme të ujit dhe ka kontribuar në parandalimin e katastrofave më të mëdha.

Hidrocentrali “Matka” sot prodhon energji të ripërtëritshme të EVN-së në Maqedoni. Në vitin 2008 është bërë rikonstruksioni dhe është ndërtuar tërësisht një hidrocentral i ri. Me ndërtimin e godinës së re të makinerisë, e lokalizuar në afërsi, godina e vjetër makinerike ndërpreu funksionin e saj, dhe në vitin 2016 u shndërrua në qendër edukative ekspozuese.