Historia

Në vitet e tridhjeta të shekullit të kaluar, në daljen e kanionit Matkë është ndërtuar liqeni artificial në lumin Treskë, me një digë të betonit, për të prodhuar energji elektrike. Punët ndërtimore të digës kanë filluar në vitin 1935, ndërsa hidrocentrali ka filluar punën e tij në vitin 1938 me një kapacitet të instaluar prej 4.2 MW.

Ndërtimi ka qenë shumë i madh dhe ka qenë një aktivitet kolektiv, një projekt kapital për atë kohë, por meritat më të mëdha për ndërtimin e saj ka prof. D-r. Milladin Peqinar, autori ideor i projektit, projektuesi dhe njeriu i cili ka kryer mbikëqyrjen e ndërtimit. Kur diga ka qenë e gatshme, Peqinar ka qëndruar në majën e saj dhe ka bërtitur: “Nëse rrëzohet diga, le të shkojë me të edhe ai i cili e ka shpikur”.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, pikërisht HEC Matka ka qenë një nga objektet strategjike rreth të cilit u zhvilluan betejat. Ai ka qenë cak i bombardimeve gjatë operacioneve luftarake, gjatë tërheqjes së forcave fashiste. Madje u bë një përpjekje për minimin e saj, por një grup partizanësh e kanë mbrojtur Matkën në mënyrë heroike. Diga e hidrocentralit Matka disa herë ka shpëtuar Shkupin nga përmbytjet, gjatë përmbytjes së madhe në vitin 1962 dhe në vitin 1979 kur diga ka mbajtur një sasi të madhe uji dhe ka kontribuuar për parandalimin e katastrofave më të mëdha.

Hidrocentrali Matka sot është pjesë e prodhimit të energjisë së ripërtëritshme të EVN-së në Maqedoni. Në vitin 2008 është bërë një rikonstruksion dhe është ndërtuar një hidrocentral tërësisht i ri. Me ndërtimin e ndërtesës së re të makinerive, e vendosur në afërsi të saj, ndërtesa e vjetër e makinerive ka ndërprerë funksionimin e saj, me ç’rast në vitin 2016 ajo është shndërruar në një qendër edukative-ekspozuese.